Barça fiton, nuk bind aspak, dhe Pike pyetet për Kupën Dejvis

Dikur ishte Bajerni që quhej “FC Hollivud”, i mbur me yje e me polemika. Sot, ndoshta, këtë pozicion mund ta ketë FC Barcelona. Fitorja 2-1 në fushën e Leganjesit nuk largoi aspak alarmin, ose të paktën kështu shkruajnë e komentojnë mediat. Luis Suarez dhe Arturo Vidal ishin autorët e golave dhe katalanasit ishin sërish “mbretër të përmbysjeve”, pasi vendasit kaluan në avantazh në pjesën e parë.

Sidoqoftë, “FC Hollivudi” duket tek temat që diskutohen pikërisht në media. Fiziku i Lionel Mesit (por, jo teprime prej tij), e ardhmja e Luis Suarezit, rënia e rendimentit fizik të Busketsit, dhe mbi të gjitha pasionet jashtë fushe të Gerard Pikesë. Mbrojtësi i qendrës u pyet menjëherë pas ndeshjes për këtë, dhe për raportet me trajnerin Valverde e me klubin.

“Valverde më pyeti sesi e kam planin e kësaj jave, si do t’ia bëjmë, – tha Pike, – marrëdhëniet me trajnerin i kam të shkëlqyera, po ashtu me klubin shumë të mira. Zhurmat për problemet vijnë nga jashtë. Udhëtimet e mia janë vetëm 40-minutëshe, janë me avion. Është njësoj sikur të shkosh me makinë në Tarragonë”. Pike theksoi se në kohën e lirë mund të realizojë planet e tij, ndërsa detyrimi është të luajë mirë në fushë për Barcelonën.

Sfidanti.al