Ja edhe Ahmataj, kur do të gjejë “karar” Tirana me trajnerët?!

Ose, kur do të gjejnë qetësi trajnerët tek Tirana? Kjo pyetje bëhet natyrshëm pasi dëgjon deklaratat e Julian Ahmatajt në përfundim të duelit të humbur në Korçë ndaj Skënderbeut. “Nuk dua ta mbaj vendin e punës me zor, – ishin fjalët e tij, – nuk mbahet. Ose duhet rregulluar ose … . Tek Tirana, sapo vendoset një trajner, mendohet për t’u hequr. Dhe nuk mendohet nga presidenti. Nga rrethi”.

Ç’është kjo punë kështu? Ahmataj ka vetëm pak javë në krye të ekipit dhe paraqet dorëheqjen, si dhe akuzon për komplot të brendshëm. Pak javë më parë u largua Ardian Mema dhe sërish me të keq, ndërsa sezonin e kaluar iku Ze Maria, po ashtu duke deklaruar se tek Tirana ka përplasje interesash, apo njerëz që punojnë për interesat e tyre dhe jo për ato të klubit.

Nëse do të shikosh të paktën 10 vitet e fundit, apo më shumë, numëron sesa shumë teknikë kanë ikur nga bardheblutë, madje Ardian Mema ishte më jetëgjati dhe mezi e bëri më shumë se 1 vit.

Në 2008-2009 u nis me Blazh Slishkoviçin, pastaj u vazhdua me Agustin Kolën për t’u mbyllur me Alban Tafajin. Në 2009-2010 ishte Nevil Dede, ishte edhe Alban Tafaj

Në 2011-2012 ishte spanjolli Rubio, ndërsa në fillim të 2012-2013 u caktua Artur Lekbello, por u largua për 42 ditë, për të vazhduar me Alban Tafajin. Në 2013-2014, pati edhe më shumë kaos, pasi u nis me Nevil Deden, u vazhdua me Alpin Gallon, pastaj ishte Sokol Bulku dhe pastaj Gugash Magani. Në qershor 2015, Tirana emëroi Shkëlqim Muçën si trajner, por ai u shkarkua në tetor të po atij viti. Në vend të tij erdhi Ilir Daja, që mbajti stolin një vit, në tetor 2016 u emërua Mirel Josa, që u largua në fund të sezonit kur Tirana ra nga kategoria, Ze Maria mori detyrën në qershor 2017, dhe u largua në shtator-tetor 2018 për t’u zëvendësuar nga Ardian Mema.

Sfidanti.al