Një legjendë e futbollit rikthehet në lojën më popullore në botë, veçse me detyrën aspak të lakmuar për të zëvendësuar një trajner tepër popullor. Xhanfranko Zola do të jetë trajneri i ri i Birmingamit në kategorinë e dytë angleze (Championship), pasi klubi vendosi të shkarkonte drejtuesin e skuadrës, Geri Rouit. Fatkeqësisht shkarkimi ndodhi ndërsa Birmingami fitoi 2-1 ndaj Ipsuiçit, dhe u ngjit në vendin e 7-të në renditje, vetëm 3 pikë larg vendit të tretë. Gjithsesi, një trajner nuk e ka vendin të sigurt as kur është i suksesshëm, sidomos kur në klub vijnë pronarë të rinj, dhe kështu i ndodhi Gerit.
Aksionerët e rinj të Birmingamit janë pronarët e kompanisë “Trilion Trofi Azia Limitid” dhe ata gjykuan se “Zola është njeriu i duhur për ta çuar klubin në një drejtim të ri”. Ata kërkonin një emër të madh dhe gjetën pikërisht ish-trajnerin e Uest Hemit, Uatfordit dhe ish-lojtarin e Napolit, Parmës, Çelsit dhe të kombëtares së Italisë. Në krah të Zolës do të jetë ish-sulmuesi i Juventusit, Pierluixhi Kaziragi, si dhe Gabriele Çofi, Kevin Hiçkok dhe analisti i videove të ndeshjeve, Sebastiano Porku.
Sfidanti.al