Një sherr i rëndë mund të kishte ndodhur në ndeshjen mes Evertonit dhe Arsenalit në stadiumin “Gudison Park”. Gjakrat u nxehën shumë që kur lojtarët e të dyja skuadrave po hynin në dhomat e zhveshjes në pushimin mes pjesëve, dhe më të acaruarit ishin Mesut Ozil i Arsenalit dhe Xhejms Mekarti i Evertonit. Shumë lojtarë të tjerë, të të dyja palëve, u përfshinë në konflikt, por për fat aty ndërhyri një njeri që i ka njohur shumë mirë sherret kur ishte futbollist. Fjala është për gjigandin Dankën Ferguson, ish-sulmues i Evertonit, që sot është trajner.
Skocezi gati 2-metrosh ishte “paqeruajtësi” ishte legjendar në kohën e tij, për karakterin e ashpër, luftarak, që e futi edhe në burg. Kjo ndodhi në 1994, kur goditi një kundërshtar ndërsa luante për Gllazgou Rejnxhërsin, ndërsa në karrierë, ndonëse sulmues, mori 9 kartonë të kuq. Gjithsesi, sot është tjetër “Big Dunc” pasi përvoja dhe mosha kanë bërë të vetën. Edhe trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, u detyrua të ndërhynte për të ndaluar Granit Xhakën që dëshironte të bënte gjithashtu sherr, ndërsa gjyqtari Klatenburg e pati shumë të vështirë. Evertoni fitoi 2-1 dhe u dha një goditje të rëndë shpresave të Arsenalit për të fituar titullin kampion.