Kush më mirë se Shpëtim Duro e di se çfarë gjëme të bëjnë arbitrat kur “djalli” i ka fryrë në vesh.Kur ishte në Vlorë, predikonte se brenda skemës për lojën, përgatiste edhe një skemë të fshehtë për arbitrat që , si për ters , i zinte deti në Vlorë. Tani në Kukës, sidomos kur udhëton për në Laç, njeriu i stolit te Kukësit, zbulon se nuk ka skemë që t’i bëjë derman arbitrit, sepse ata e kanë golin në kokë.
“ Pyetini futbollistët, çfarë ju kam thënë para ndeshjes?” – thotë Shpëtimi që nuk ka shpëtim nga përndjekja e njeriut me të zeza, –E parandjeja se do të linin gjurmët e mëkatit në ndeshje”. Por, zëri i tij nuk dëgjohet , ndaj sytë dhe veshët shkojnë tek presidenti Gjici. Një “lojtar pozicional” në vitet e kaluara, që e dinte fare mirë marifetin me arbitrat, kur gabonin për meritë të tyre dhe kur gabonin për meritë të shefave. Fundja, a nuk janë vetë presidentët investitorët që shpenzuan goxha miliona , që arbitrat të gabonin si “njerëz” , pa e ditur se po hidhnin themelet e një sistemi, ku fituesi dhe viktima ndërrojnë rolet në filmin e Superligës.
Dëgjoni fjalët e Gjicit, pas humbjes flakëruese në Laç, me një penallti ku maviola stërlodhet, zhytet në “shkencë”, për ta ligjëruar: “ Ndeshjen e vendosi arbitri, por unë nuk do t’i paguaj futbollistët nësë nuk bëjnë kthesën”. Në fakt, për hir të së vërtetës, nëse Gjici nuk do ta kishte tradhëtuar futbollin për hir të politikës, as s’ do të mundohej ta formulonte këtë frazë disi kontradiktore. Nëse golin e ka bërë arbitri me penalltinë që shpiku, atëherë përse u dashka bërë kthesa nga futbollistët dhe jo nga arbitrat?” Kur thonë se në Laç e pësojnë sistematikisht nga “magjia e zezë” në këto ndeshjet e fundit, a ka trajner apo futbollist , apo më mirë të themi një president , më të zotin se edhe vetë Gjici, për të kuptuar pse arbitrat dhe shefat kanë krijuar një modë tjetër gjykimi kur flitet për fushën e Laçit…
Sfidanti.al