Diferenca ishte shumë e madhe në buxhet, por aspak e tillë në parket. ASVEL Vilurban shkaktoi një të papritur të madhe, ndoshta më të madhen e sezonit në Euroligë, duke mundur CSKA-në e Moskës në javën e 7-të. Skuadra franceze nga Lioni nuk deshi t’ia dinte për faktin se buxheti i saj është rreth 11-12 milionë euro këtë vit, ndërsa ai i moskovitëve arrin në 41 milionë euro, dhe ia dolën në fund, duke triumfuar 67-66. Rreth 5 500 tifozë në Arenë ishin të lumtur në sirenën përmbyllëse.
Kjo ishte fitorja e katërt këtë sezon e Vilurbanit, të rikthyer në Euroligë pas shumë viteve, ndërsa ia ka dalë të thyejë edhe skuadra të tjera të forta si Panathinaikos, Olimpiakos dhe Baskonian e Spanjës. Lomazh ishte lojtari më i mirë për vendasit me 15 pikë, ndërsa Tejlër shtoi 14 pikë. Në renditjen e Euroligës kryeson Barcelona me 6 fitore e 1 humbje, pas suksesit në fushën e Zhalgirisit, dhe po këtë bilanc ka edhe Olimpia e Milanos, CSKA është e treta me 5 fitore e 2 humbje, me po aq pikë sa Makabi, Anadolu Efesi dhe Himki i Moskës.
Sfidanti.al