Mançester Junajtidi arriti më në fund një fitore jashtë fushe. Trajneri Ole Gunar Solskjer mund të marrë frymë më i lehtësuar pas suksesit 3-1 në fushën e Noruiçit, ndërsa para ndeshjes kishte dhënë një intervistë të guximshme. “Nuk do ta shkatërroj traditën e Junajtidit për të synuar tituj, – tha ai, – të gjithë duam tituj, por më bukur është kur këta tituj i fiton me emra të rinj”.
Një parashikim prej orakulli, sepse Junajtid fitoi 3-1, suksesi i parë jashtë fushe i djajve të kuq që nga shkurti i këtij viti. Të rinjtë Skot Mektominej, Markus Rashford dhe Antoni Marsial ishin autorë të golave, madje patën luksin të humbasin 2 penallti (Rashford e Marsial). Për Junajtidin nuk luajti sërish Pol Pogba, ndërsa gjatë verës Solskjeri largoi dy sulmues me moshë të pjekur si Romelu Lukaku dhe Aleksis Sançez, që shkuan të dy tek Interi. Në fushë ishin edhe të rinj të tjerë si Uan Bisaka, Xhejms, Pereira dhe zëvendësuesi Grinvud. Mektominej shënoi golin e 2000-të të Mançester Junajtidit në Premier Ligë, skuadra e parë që arrin në këtë nivel. Tashmë, “djajtë e kuq” kanë 13 pikë, duke u ngjitur në vend të 7-të, edhe pse zona Champions mbetet larg.
Sfidanti.al