Rrëfehet Hamiltoni: Ka shumë gjëra që ndodhin në jetën time!

Fernando Alonso i bëri një kritikë të drejtpërdrejtë, pasi kampioni i botës u ankua në rrjetet sociale se problemet e kësaj bote po e bëjnë të dorëzohet për gjithçka. Spanjolli e kishte me mënyrën e të ushqyerit të Ljuis Hamiltonit, duke thënë se “pilotët e Formula 1 bëjnë 200 udhëtime (ajrore) në vit, pra ata nuk mund të thonë se nuk duan të hanë mish”. Hamilton është vegjetarian dhe Alonso e shigjeton për këtë.

Gjithsesi, shqetësimi më i madh për 34-vjeçarin anglez nuk është kritika e Alonsos, por vetë gjendja e tij shpirtërore. Ai alarmoi edhe pak më shumë në konferencën e parë për shtyp, pas mesazhit në rrjetet sociale, duke deklaruar se “në jetën time po ndodhin shumë gjëra”. Nuk pati sqarime të hollësishme për këtë, por edhe kaq mjafton, sepse ishte mesazhi i dytë problematik në pak kohë.

“Unë jam njeri edhe pse quhem një person publik, – tha Hamiltoni, – edhe unë kam ulje ngritjet e mia në jetë, ndoshta njerëzit e tjerë nuk arrijnë ta kuptojnë, ose ta besojnë këtë. Mund të them se nuk jam në momentin tim më të mirë, shumë gjëra po ndodhin në jetën time, por më në fund po vij këtu për të bërë atë që më pëlqen më shumë, garën”. Hamilton po bëhet gati për Çmimin e Madh të Meksikës, dhe këtë të dielë mund të fitojë zyrtarisht titullin e 6-të botëror.

Sfidanti.al