Klop-Solskjer, dueli i deklaratave pas betejës së Mançesterit

Debati do të vazhdojë për duelin e madh në “Old Traford”, ndonëse rezultati nuk do të ndryshojë. Dy trajnerët, Ole Gunar Solskjer, dhe Jurgen Klop, dhanë opinionet e tyre, ndoshta jo me shumë dëshirë, por të detyruar nga rregullat, dhe secili “i ra fyellit” në “vrimën” që dëshiroi. “Ishte një mbrëmje tipike prej “Old Trafordi”, – tha trajneri i Junajtidit, – jam i lumtur me reagimin e djeshme dhe kam besim se do të bëhemi më të fortë, aq më tepër që po na kthehen lojtarë të dëmtuar. Luajtëm si skuadër, dhe kemi futbollistë shumë të shpejtë si Rashford, Xhejms apo Pereira, që mund të vendosin në vështirësi çdo kundërshtar”.

Solskjer vlerësoi taktikën e përdorur nga ai dhe lojtarët për të ndaluar Liverpulin, por pranoi se pas pushimit, kundërshtari krijoi probleme. “Liverpuli na vuri në vështirësi pas pushimit, dhe ne u lodhëm sepse nuk patëm mundësi të kishim zotërimin e topit”, – pohoi ai.

Klopi ishte i tërbuar gjatë ndeshjes për vendimet lidhur me golat, dhe në përfundim ishte sërish i zemëruar, por më shumë me VAR-in sesa me gjyqtarin Atkinson. “Jam i sigurt se nëse nuk do të kishte VAR, arbitri do ta kishte ndaluar lojën kur u bë ndërhyrje ndaj Origit, – tha ai, – unë jam i bindur se ai ishte faull, kështu mendojnë edhe shumë të tjerë. Ai gol nuk duhej dhënë, por mesa duket VAR-i ende nuk është përsosur sa duhet. Është shumë i mirë për penallti dhe pozicione jashtë loje, por jo për situata të tilla”.

Sfidanti.al