Ikën De Biazi e Panuçi, vjen Edi Reja, Odise Roshi mbetet viktima “italiane”

Trajneri Reja, ditën e festimit të ditlindjes, mu në prag të ndeshjes me Turqinë, i paska thënë futbollistëve se pret një dhuratë simbolike nga ata gjatë ndeshjes!  Veterani Italian , vetëm në fund të ndeshjes me Turqinë, e kuptoi se dhurata nuk kishte qënë për të, por për..turqit.  Tepër ironik fakti, kur kujton se  edhe ndeshjen e parë në Shkodër,  sikur të ishte dita e dhuratave, e falëm gjithë 90 minutëshin.. dhe jo vetëm fundin si në Stamboll.  Dhe për humbjet me “vetëvrasje”, ku sipas zakonit  të vjetër, dikush gabon në mënyrë spektakolare,  lindi pyetja provokuese: cili ishte fajtori i parë në Stamboll. Humbësi  i rasteve Manaj apo Strakosha, që realizoi një kung-fu të cunguar duke braktisur portën?  Edhe po nuk e treguam me gisht më të keqin e ndeshjes, e dimë me siguri se ishte brënda dyshes Manaj-Strakosha. Por, pyetja që harrojmë pas ndeshjes, sidomos kur humbasim në fund, mund të jetë e tillë:  më i miri cili ishte?

A ka fitues brënda një humbjeje ? Si për ironi të gjithë trajnerëve të kohëve të fundit, si për të sfiduar dhe bindjen  e trajnerit Reja , heroi i Kombëtares nuk vjen nga fusha, por nga stoli. Quhet Odise Roshi dhe për  gjithë kundërshtarët që e kanë parë duke galopuar me topin, ka qënë privilegj që ..më i miri mbetet në stol në mënyrë të çuditshme, madje ngjall dyshime.. Si ta ketë emrin De Biazi, si ta ketë Panuçi, si ta ketë Edi Reja, trajnerët tanë , sikur ta kejnë bërë me fjalë, kanë krijuar idenë e pavërtetë se Roshi është më i mirë kur futet nga dera e pasme e ndeshjes, sesa nga dera kryesore. Edhe vetë Roshi, futbollisti që kur vrapon me topin në vertikale, të kujton hapin e të mëdhenjve,  ka bërë “golin” e pritur pas ndeshjes me Moldavinë. Fjalët e tij janë pak , por kanë shumë kuptim: “ Unë nuk jam xhol”.  Për hir të së vërtetës, odiseja e Odisesë  do të vazhdojë , duke u  bërë lojtari i epruvetës, dhe kulmi arriti me Francën, kur Edi Reja  e dërgoi në fushë, jo me misionin e lindur të sulmonte,. por të ruante portën si mbrojtës i djathtë.  Ajo që ndodhi në fushë ishte tragjike me “xholin”, por më e bukura ishte kur dëgjoje se prej Roshit i pësuam golat…dhe harronin, me dashje apo pa dashje, se golat i pësoi trajneri  që “përforcoi” prapavijën…

Sfidanti.al