Barcelona sulmon drejtësinë spanjolle për dënimin e katalanasve!

Vetë klubi, por edhe disa nga figurat më në zë të tij nuk u kursyen aspak pas vendimeve të dhëna nga gjykata spanjolle për disa nga politikanët katalanas që organizuan referendumin për pavarësinë. FC Barcelona doli me deklaratë zyrtare ku vendimi i Gjykatës Supreme u cilësua si i gabuar. “Burgu nuk është zgjidhja, – ishte deklarata nga “Kamp Nou”, – Barcelona, si një nga institucionet më të rëndësishme në Katalonjë, në përputhje me historinë dhe me mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe për të vendosur, deklaron pas vendimit se kjo nuk ndihmon për zgjidhjen e konfliktit”.

Gerard Pike, një nga më të vendosurit “pro” pavarësisë, e riprodhoi deklaratën e klubit në faqen e tij zyrtare në rrjetet sociale, duke shtuar nga ana e tij se “jam krenar që jam pjesë e këtij klubi”. Edhe më me revoltë ka reaguar Ksavi Hernandez, legjenda që ishte pjesë e treshes së bashku me Mesin dhe Iniestën. “Turp”, shkruajti Ksavi, në gjuhën spanjolle, katalanase dhe angleze, ndërsa rreshtoi emrat e të dënuarve dhe vitet e burgut të dhënë për ta, nga 9 deri në 13 vjet.

Sfidanti.al