Kush mund t’i ketë harruar skenat e 2016-ës? Xhani De Biazi u soll si një personalitet i nivelit të lartë, ndërsa kombëtarja shqiptare luajti rolin e saj më të rëndësishëm në histori, atë të finalistes së Kampionatit Europian. Kanë kaluar katër vjet nga kualifikimi i madh, dhe tre vite nga Euro 2016 në Francë, dhe kombëtarja synon sot të arrijë në ato nivele. Gjithsesi, së pari duhet të luajë sonte në Moldavi, dhe italiani pyetet për një parashikim.
“Mendoj se Shqipëria fiton, – tha ai me bindje, – Nuk do të jetë e lehtë, por besoj se ka mundësi për ta fituar këtë ndeshje. Pashë edhe ndeshjen ndaj Turqisë, ku humbja erdhi vetëm nga një gabim i Strakoshës dhe i mbrojtësit. Mendoj se Shqipëria luajti një ndeshje shumë të mirë dhe jam shumë i kënaqur”.
Si e gjykon De Biazi periudhën në të cilën drejtoi kombëtaren? “Mendoj se ishte një etapë fondamentale për historinë e Shqipërisë, sepse mund të themi se kemi arritur në nivele të tjera, dhe shpresoj që këto nivele të arrihen sërish në të ardhmen, – pohoi ai, – Patëm një detyrë jo të lehtë sepse duhej ndryshuar një mentalitet, një mënyrë pune, dhe mbi të gjitha sepse duhej të harronim gjithçka tjetër dhe të përqëndroheshim vetëm tek futbolli, tek dëshirat dhe ëndrrat e një futbollisti. Besoj se kjo na ndihmoi shumë për t’u rritur”.
A mund të flasim për një “Debiazizëm” për futbollin, pra për një stil të veçantë të Xhani De Biazit? “Në Shqipëri, padyshim që po, por në vende të tjera është më e vështirë, – deklaroi italiani, – Ndoshta mund të flitet për “debiazizëm” në Modena, po ashtu në Shqipëri. Mund të thuash pjesërisht në Torino, por jo tek Juventusi, me të cilin jeni tifozë ti Enkel dhe Gerti. Kjo është më tepër çështje e gazetarëve, që me të drejtë bëjnë punën e tyre”.
Shqipëria drejtohet sërish nga një italian si Edi Reja, a mund të flasim për ngjashmëri? “Jo, unë mendoj se secili prej nesh ka mënyrën e tij në punën që bën, ka një stil sesi bashkëpunon me njerëzit që ka pranë, lojtarë apo ndihmës, – ishte mendimi i ish-teknikut, – Mendoj se gjëra kryesore është që t’i bësh njerëzit që të kenë besim se mund t’ia dalin mbanë, sepse jo gjithnjë njerëzit kanë besim se së bashku mund të arrijmë një objektiv të caktuar. Nëse arrin t’i bindësh, dhe t’u tregosh rrugën për t’ia dalë, është më e lehtë të kesh sukses. Nuk është e lehtë, por bëhet pak më e lehtë”.
Sfidanti.al