Humbjet nuk prekin borderonë, Junajtidi vendos rekorde me rrogat!

Kush është skuadra me fillimin më zhgënjyer të kampionatit anglez? Përgjigja dihet, Mançester Junajtidi! Veçse, kush është skuadra me rrogat më të larta në Premier Ligë? i njëjti “xhevap”, sërish Mançester Junajtidi. Si i bëhet që një ekip me startin më të keq të vetin në 30 vjet, të paguhet më mirë se çdo tjetër, madje më mirë sesa Mançester Siti kampion i Anglisë, dhe Liverpuli kampion i Europës?

Këto janë çuditë e futbollit, që mund të quhen edhe normalitete, pasi biznesi nuk ecën mbarë vetëm kur fiton disa vjet, por kur ke histori të madhe, diçka që klubi i “Old Trafordit” padyshim që e ka. Sot për sot, Junajtid ka një bordero të përgjithshme rrogash prej 332 milionë paundë stërlinash, apo mbi 360 milionë euro në vit. Edhe më e pabesueshme është që shifra është rritur me 100 milionë paundë stërlina, apo 43 për qind, në tre vitet e fundit! “Djajtë e kuq” kanë disa nga yjet më të paguar në Premier Ligë, si David De Gea me 375 mijë paundë në javë, Pol Pogba me 290 000 paundë në javë, madje në bordero ka qenë edhe rroga prej 400 000 paundësh në javë e Aleksis Sançezit.

Sfidanti.al