Duhej të ishte një duel aspak i veçantë për t’u mbajtur mend. Si mund të quhej ndryshe një ndeshje eleminatore në një ish-republikë të vogël sovjetike, si Moldavia? Gjithsesi, ky duel që nuk ngjante aspak me ato ndaj Gjermanisë, Anglisë apo Francës, do të mbetej në histori si një rekord. Në kryeqytetin Çisinau, kombëtarja arriti fitoren e parë jashtë fushe në fazat eleminatore, Europianë apo Botërorë.
Luhej në 7 qershor 1995 dhe Shqipëria e drejtuar nga trajneri Neptun Bajko dilte në fushë përballë një kundërshtari që e kishte mundur 3-0 një “Qemal Stafa”. Në një ndeshje me përmbysje, suksesi u arrit falë golave të shënuar nga Sokol Kushta, Arian Bellai dhe Rudi Vata. Nuk ishte e lehtë për një skuadër që nuk kishte pasur thuajse kurrë rezultate të rëndësishme në stadiume të huaj, me përjashtim të ndonjë barazimi në Turqi apo Poloni.
Jo vetëm kaq, por kuqezinjtë përballuan përmbysjen e parë të rezultatit nga vendasit, që kryesuan 2-1 pasi po humbisnin 0-1. Edhe pse kundërshtari mund të quhej deri diku modest, sërish është arritje kur fiton për herë të parë larg shtëpisë. Shqipëria pati nerva të forta sepse përballoi reagimin e Moldavisë në minutat e fundit duke arritur rezultatin historik.
Sfidanti.al