Italia fshin njollën e Botërorit, kalon në Europian me rekord!

Kanë kaluar vetëm 23 muaj, por nuk thonë kot se ai që di reagon shpejt. Italia, me përvojën e 4 herë kampiones së botës, ka kthyer përmbys realitetin dhe nga nata e turpit ndaj Suedisë, arriti në natën e lavdisë në “Olimpiko” të Romës. Fitore 2-0 ndaj Greqisë dhe kualifikim “pa njollë” për në finalet e Europianit. Nuk ishte lojë me shkëlqim, por fitore e merituar me gola të shënuar pas pushimit nga Zhorzhinjo (penallti) dhe Bernardeski.

Kurrë më parë, “Të Kaltrit” nuk kishin arritur një kualifikim 3 ndeshje para përfundimit, por tani kanë 21 pikë nga 21 të mundshme, dhe u ndihmuan nga humbja e Finlandës me Bosnjë-Hercegovinën, si dhe nga barazimi i Armenisë në Lihtenshtajn. Italia është e sigurt edhe për vendin e parë në grup.

Trajneri Mançini kishte deklaruar objektivin për të fituar Europianin (“ka kaluar shumë kohë pa ia dalë, që nga viti 1968”, tha ai). “Shpresojmë që të kthehen netët magjike”, – u shpreh Manço pas fitores. Si lojtar nuk ia doli t’i fitonte titujt me kombëtaren, duke u mundur në Euro 1988 nga Bashkimi Sovjetik në gjysmëfinale, dhe po në gjysmëfinale nga Argjentina në Botërorin 1990 në Itali. Ku i dihet, ndoshta atë që nuk e bëri si lojtar, do ta bëjë si trajner.

Sfidanti.al