Mançester Junajtid, merr masa përpara se të vdesin të tjerë në “Old Traford”

Cilësohet “Teatri i Ëndrrave”, por mund të kthehet në “Teatrin e Vdekjes”. Ky është “Old Trafordi”, stadiumi i shkëlqyer i Mançester Junajtidit, që është vënë në bankën e të akuzuarve pas një vdekjeje të ndodhur gati dy vjet më parë, në dhjetor 2017. Ishte derbi ndaj Mançester Sitit, dhe një tifoz 80-vjeçar humbi jetën në rrethana fatkeqe, diçka që mund të ishte shmangur.

Xhon Uejl gjeti vdekjen ndërsa u përpoq të largohej nga ndeshja 10 minuta para përfundimit, dhe ngjarja ndodhi në tribunën që mban emrin e trajnerit legjendar, Sër Aleks Ferguson. Ai ishte i mërzitur sepse Siti po e fitonte ndeshjen me rezultatin 2-1, dhe mesa dukej donte të largohej përpara sesa të krijohej trafik në përfundim të derbit.

Raporti zyrtar i hetimit akuzon policinë private për pakujdesi, pasi dy agjentë i bllokuan rrugën pa dashje tifozit të vjetër, dhe ishin shkaktarë të rrëzimit të tij me kokë në shkallaren prej betoni. Menjëherë pas ngjarjes, pensionisti 80-vjeçar u dërgua me urgjencë për në Spitalin Mbretëror të Salfordit, por nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra në kokë.

“Merrni masa, ose do të keni vdekje të tjera, – shkruan “Deili Meili”, – hetimi bën me faj Mançester Junajtidin, pasi tifozi i vjetër 80-vjeçar u rrëzua në shkallët e tribunës Sër Aleks Ferguson dhe gjeti vdekjen gjatë derbit në “Old Traford”

“Mançester Junajtid, fajtor pasi tifozi humbi jetën, duke u përplasur me kokë në “Old Traford”, – shkruan “Deili Mirror”. “I vrarë në stadium, – janë shkronjat e mëdha të “Dhë Sanit”, – Mançester Junajtidi paralajmërohet që të marrë masa, ndryshe do të ketë më shumë vdekje”. Në Angli, stadiumet janë me standarde të larta, por mjafton një pakujdesi njerëzore për të shkaktuar ngjarje të rënda.

Sfidanti.al