Trajneri i Turqisë akuzon një lojtar se nuk i tha të vërtetën

Bëhet fjalë për Suat Serdarin, futbollistin me origjinë turke që luan për Shalken në Bundesligë. Shenol Gynesh është tepër i zemëruar me të, sepse siç thotë vetë, i shkoi mundimi kot. Shpresa ishte që Serdari të luante për Turqinë, por ai zgjodhi Gjermaninë, dhe trajneri Joakim Lëv ia dërgoi ftesën dhe e grumbulloi në miqësoren ndaj Argjentinës, si dhe në ndeshjen eleminatore të Europianit kundër Estonisë.

“Kam qenë tri herë tek Shalke pikërisht për Suatin, – u shpreh Gyneshi, pak ditë para duelit europian me Shqipërinë, – kam biseduar me familjen e tij dhe më thanë se do të zgjidhet çështja e dokumentave, por kjo nuk u zgjidh asnjëherë. Nuk kam asgjë që ai zgjodhi Gjermaninë, por duhej të më kishte thënë të vërtetën”.

Duket se zgjedhja paska qenë e vështirë për Serdarin, i cili u shpreh (cituar nga “Bildi”) se “kam qenë shumë i nervozuar dhe sërish jam”. Gjithsesi, duket se dëshira e tij ishte pikërisht që të luante për Gjermaninë dhe gjithkush në familje ishte i lumtur për ftesën e Lëvit.

Sfidanti.al