Gola shqiptarë, por edhe nga Kosova: Uzuni, Lenjani dhe Rashica

Të kuptohemi, golin më të rëndësishëm e realizoi “margaritari” i skuadrës përfaqësuese të drejtuar nga Bernar Shaland. Milot Rashica u rikthye si shënues në një nga 5 ligat kryesore të Europës, në Bundesligën gjermane duke i siguruar barazimin Verderit të Bremenit. Ndeshja nuk ishte aspak e lehtë, në fushën e Ajntrahtit të Frankfurtit, dhe vendasit përmbysën dizavantazhin e hershëm për të kryesuar 2-1. Pikërisht në minutën e fundit, Rashica mori përsipër një penallti që e ktheu në gol. Pikë e rëndësishme për Verderin që ndodhet pak më poshtë se mesi i tabelës në renditje.

Golat edhe nga dy lojtarë të kombëtares shqiptare. Njëri prej tyre, që do të jetë me siguri ndaj Turqisë dhe Moldavisë, ishte Ermir Lenjani. Futbollisti nga Kosova realizoi në humbjen 1-2 të Sionit të tij, në fushën e vet ndaj Luganos në Superligën e Zvicrës. Goli i Lenjanit ishte për barazimin e përkohshëm 1-1 në 82’. Gol për barazim përfundimtar ai i Myrto Uzunit, që është në listën e dytë të kombëtares, publikuar nga Edi Reja. Lojtari ofensiv nga Berati tundi rrjetën në 49’, në rezultatin 1-1 të Lokomotivës së Zagrebit në fushën e Rijekës, në Ligën e Parë të Kroacisë.

Sfidanti.al