Reja shpall listën për Turqinë e Moldavinë, Mavraj jashtë dhe shumë ndryshime!

Sekreti ende i pazbuluar do të mësohet këtë të diel. Trajneri i kombëtares, Edi Reja, shpall listën e lojtarëve për ndeshjet ndaj Turqisë dhe Moldavisë në eleminatoret e Europianit. Italiani do të dalë para mediave në orën 11:00, në selinë e Federatës, dhe pritet të ketë disa ndryshime në krahasim me futbollistët e grumbulluar në duelet e mëparshëm ndaj Francës dhe Islandës.

E reja më e rëndësishme mendohet të jetë mungesa e kapitenit Mërgim Mavraj, që nuk ka qenë në nivelin më të lartë të mundshëm kohët e fundit. Sipas burimeve në Federatë, Reja do të thërrasë disa lojtarë të tjerë. Mes tyre, ftesë ka mesfushori sulmues Endri Çekiçi, që luan në Slloveni për Olimpijan e Ljubljanës, dhe që po bën një paraqitje shumë të mirë me gola dhe asistë.

Po ashtu, mesfushori Taulant Seferi që luan në Zvicër, dhe që gjithashtu i ka bërë përshtypje shumë të mirë Rejës. Nga Shqipëria U21 mund të merret edhe Lindon Selahi, që luan për Tventen në Holandë. Mesfushori 20-vjeçar është aktivizuar vazhdimisht këtë sezon nga trajneri Gonzalo Garsia, ndonëse tek Shpresat i është dhënë mundësia më pak.

Kombëtarja nis grumbullimin për dy ndeshje të rëndësishme eleminatore, në Stamboll ndaj Turqisë dhe Çisinau kundër Moldavisë, që të dyja jashtë fushe. Sidomos, dueli me Turqinë cilësohet vendimtar për shanset e Shqipërisë për kualifikim në Euro 2020.

Sfidanti.al