Sarrin e kënaq më shumë loja sesa pikët, pas fitores ndaj Breshës!

Mungoi Kristiano Ronaldo? S’ka problem! Juventusi është më shumë sesa superylli i tij, gjë që e tregoi këtë mesjavë në Serinë A, me një fitore që ishte më shumë sesa marrja e tri pikëve. Në stadiumin “Rigamonti” të Breshës, formacioni i trajnerit Mauricio Sarri vërtet e pati të vështirë, por triumfoi me përmbysje, dhe sidomos duke luajtur mirë.

Goli i pësuar që në minutën e 4-ët nga Alfredo Donaruma vlejti më shumë si zgjim sesa si tronditje, dhe kampionët e Italisë treguan edhe personalitetin, që nuk është se i mungonte, por edhe cilësinë, gjë për të cilën u mor Sarri. Një autogol barazpeshoi ndeshjen e javës së pestë, ndërsa suksesi u vendos nga Miralem Pjaniç.

Boshnjaku ishte kryefjalë e mediave të shkruara italiane. “La Gazeta delo Sport”: Juve, Pjaniç fluturues! Një tjetër përmbysje dhe parakalim në krye! Shenja të Sarrit, momente të Balos! “Il Korriere delo Sport”: Përpara me Pjaniçin! Juve, 2-1 në Bresha, vendos Mire! “Tutosport”: Më shumë Pjaniç, më shumë Juve! Në fushën e një Breshe shumë të mirë, bardhezinjtë fitojnë sërish me përmbysje!

“Jemi përmirësuar shumë përsa i përket qarkullimit të topit, – deklaroi trajneri bardhezi, – e kontrolluam më mirë ndeshjen, por duhet të përmirësojmë lojën në mbrojtje dhe me skemën 4-3-1-2 nuk është e lehtë. Po krijojmë më shumë raste, dhe ishte meritë që fituam një ndeshje ku pësuam gol për 4 minuta”.

Ylli që u veçua përveç Pjaniçit ishte Paulo Dibala, i cili u duk tjetër në mungesë të Ronaldos. Me gjasë, argjentinasi e vuan praninë e portugezit në formacion, madje kur luan CR7-ta, ai mbetet thuajse gjithnjë rezervë.

Në tërësi, tifozët juventinë mund të nisin të qetësohen. Karlo Ançeloti, trajneri i Napolit, paska bërë parashikim të qartë me fjalët “Interi i Kontes është i formuar, Juventusi i Sarrit do të formohet shpejt”. Pra, Interi mund të quhet ende favorit për titullin, edhe pse ka një provë të vështirë sonte në mbrëmje, pasi ndeshet në orën 21:00 me Lacion në “San Siro”.

Sfidanti.al