Dikur, në kohën e Luftës së Dytë Botëore, një ministër i jashtëm i Portugalisë bënte një pyetje, në dukje të pafajshme: “Përse shtete nuk merren vetëm me kundërspiunazh, do të lehtësoheshin shumë gjëra”. Këtë gjë ndoshta nuk e kanë menduar në Angli, ku Liverpuli dhe Mançester Siti janë përfshirë në një skandal spiunazhi që dëmton rëndë imazhin e ligës më të ndjekur dhe më të pasur në botë.
Ngjarja është relativisht e vjetër, e vitit 2013, ndonëse doli në sipërfaqe vetëm tani. Tek Siti dyshuan se sistemi i tyre i të dhënave për talentet e rinj ishte depërtuar, dhe logjikisht ishin vjedhur materiale të rëndësishme. Specialistë të fushës e provuan depërtimin e sistemit dhe “shenjat” të çonin në Liverpul, ku kishin kaluar tre ish-punonjës të Sitit. Të akuzuarit quhen Dejv Fallous dhe Xhulian Uard, të cilët u larguan nga stadiumi “Etihad” për në “Anfild”, por edhe Majkëll Eduards (në foto), që sot është drejtori sportiv tek Liverpuli. Ky i fundit iku nga Siti tek Liverpuli në 2011.
Gazeta “Tajms” e Londrës shkruan se Liverpuli i pagoi Sitit 1 milionë paundë stërlina dëmshpërblim, dhe shton se çështja nuk shkoi kurrë në gjyq, as në atë sportiv dhe as në atë civil. Tre zyrtarët e sotëm të Liverpulit nuk e pranuan kurrë fajin, por gjithçka ndodhi pasi Siti i bëri një ankesë ligjore Liverpulit për këta punonjës. Besohet se të kuqtë ishin të interesuar për të marrë vesh për Fernandinjon dhe Zhezus Navasit, ndërsa Siti e përshpejtoi marrjen e tyre.
Sfidanti.al