Konte kritikon klubin dhe kujton Trapatonin: Interi është një centrifugë!

Si trajner ka qenë edhe i suksesshëm, por edhe ka pasur probleme. Suksesin nuk e ka të garantuar Antonio Konte, dhe as nuk mund ta ketë, ndërsa luftëtari italian do të përpiqet që të arrijë majat me Interin. Një detyrë shumë e vështirë, për të cilën atij i kujtohen fjalët e Xhovani Trapatonit, kur thoshte se “Interi është si një centrifugë”. Pra tepër e vështirë të ruhen ekuilibrat, diçka themelore për të arritur suksesin.

“Mjeshtrat e kaluar nuk mund të diskutohen, as ato që kanë thënë, -shprehet Konte, – natyrisht, nuk është e lehtë të drejtosh Interin, duhet të largojmë traditat e gabuara. Duhet të jemi më shumë të padepërtueshëm, të rritemi, të bëhemi më të pjekur e më të fortë. Nuk fitohet vetëm në fushë, por edhe jashtë saj. Duhet të jetë shumë e qartë, pra që duhen ndryshuar xhirot e motorit”.

Cilat janë traditat e këqija tek Interi dhe si mund të bëhet klubi më i padepërtueshëm? Konte nuk ngurron të bëjë një kritikë për drejtuesit. “Më kishin thënë që përpara se të vija tek Interi se këtu filtrojnë shumë gjëra, – u shpreh trajneri, – më kishin thënë se duhet ta pranosh kështu, është një mënyrë normale administrimi. Ndoshta, klubet e tjerë janë më të zotë për të menaxhuar situatat, për të mbrojtur lojtarët dhe trajnerin. Në këtë aspekt, duhet të përmirësohemi shumë, të jemi të zotët për të shuar sherret, diferencat. Nuk dua të përmenden vitet e kaluara, nuk na duhen justifikime”.

Sfidanti.al