Është ende tepër shpejt për të mbërritur në këtë fazë. Barcelona ka pësuar zhgënjim pas zhgënjimi në Champions, që pas vitit 2015, dhe ky fillim i ri nuk është se largoi fantazmat. Eleminimet e bujshme ndaj Juventusit, Atletikos, Romës apo Liverpulit kanë ardhur të gjithë në fazën me eleminim direkt, dhe rreziku është që kjo të ndodhë përsëri.
Katalanasit u duken të vegjël përpara këtij ekipi, Borusias së Dortmundit, që u tregua i vendosur për të fituar prej momentit që mbërriti në stadiumin “Signal Iduna Park” e deri në fund. Nëse gjermanët nuk ia dolën, duhet të bëjnë me faj po një gjerman, portierin e Barcelonës, Mark-Andre Ter Shtegen, që bëri pritje të mëdha duke mbrojtur rezultatin 0-0.
Numri 2 i kombëtares së Gjermanisë ndaloi edhe penalltinë e gjuajtur nga kapiteni vendas, Marko Rojs, dhe ishte engjëlli mbrojtës i skuadrës së trajnerit Ernesto Valverde. Nëse Barça ka pasur gjithnjë Mesin si fenomenin e saj, këtë herë rolin e argjentinasit e mori Ter Shtegeni. Kaq i madh ishte dominimi i Dortmundit saqë Mesi thuajse nuk u duk aspak, ndonëse hyri në fushë në minutën e 60-të. Vetëm në fund, ai pati një mundësi, por nuk arriti ta shfrytëzonte.
“Çfarë Barçe ishte kjo që nisi sulmin ndaj Europës? – pyet gazeta madrilene, “Marka”, – ekipi azulgrana nuk tremb kënd kur është jashtë fushe! Kritika edhe nga mediat katalanase. “Muri, – titullon me shkronja të mëdha “El Mundo Deportivo”, – një Ter Shtegen kolosal, që priti edhe një penallti, i dha një pikë të pamerituar Barçës, në ditën e rishfaqjes së Lionel Mesit”.
“Muri Ter Shtegen, – ishte edhe titulli i “Sportit”, – duke pritur penalltinë, Mark-Andrea u bë vendimtar për Barçën, që mori një pikë në Dortmund, në një ndeshje ku u rishfaq Leo Mesi”.
“Vuajtëm shumë dhe këtë duhet ta pranojmë, – u shpreh trajneri Valverde, – rezultati është ky që është. Ata ishin më të rrrezikshëm, patën penalltinë, goditën shtyllën. Dortmundi është shumë i fortë në shtëpi, ishte një ndeshje shumë e vështirë për ne. Edhe kur dominuam nga fundi, nuk krijuam asnjë rast. Nuk është e drejtë të kritikohet Mesi, sepse ai luajti thuajse pa asnjë përgatitje”.
Nëse Barça ishte në rënie, Borusia u duk si një yll në ngjitje, dhe trajneri Lysien Favre ishte i lumtur. “Ishim shumë mirë në pjesën e dytë, – tha zvicerani, – me shumë zotërim topi dhe shumë përqëndrim. Patëm mjaft raste, ushtruam trysni dhe u mbrojtëm si ekip. Një paraqitje e tillë na jep shumë shpresë për të ardhmen”.
Championsi tregoi që në fillim se emrat e mëdhenj të Europës do të vuajnë. Kështu i ndodhi Interit, Liverpulit, dhe po kështu Barcelonës.
Sfidanti.al