Drejtësi apo tallje? Barça, ndoshta 300 euro gjobë për Grizmanin!

Në “Kullën e Babelit” të quajtur futboll, kjo shumë nuk vlen as për “kusur” apo “resto”. Gjithsesi, është pikërisht shifra prej 300 eurosh që po mendohet si ndëshkim për Barcelonën, e akuzuar nga Atletiko e Madridit, se shkeli klauzolën e transferimit të Antuan Grizmanit, nga 200 në 120 milionë euro. Atletiko denoncoi 80 milionë euro dëm, dhe i bie që Barça do të paguajë për çdo euro, vetëm 0.000375 euro.

Një tallje apo kjo është vërtet drejtësia? Gazeta “El Mundo” e Madridit shkruan pikërisht kështu, pra që një instruktor i emëruar për të gjykuar konfliktin mes klubeve do të propozojë 300 euro gjobë, ose diçka më serioze, mbylljen e “Kamp Nout” për një ndeshje. Instruktori Huanço Landaberea thotë se bazohet në Kodin e Disiplinës së Federatës Spanjolle të Futbollit, në nenet 88 dhe 126. Nëse vendoset mbyllja e stadiumit për një ndeshje, atëherë katalanasit do të humbasin shumë më tepër, mbi 4.5 milionë euro që vijnë nga biletat dhe në total shumë më tepër se kaq.

Sfidanti.al