Moti në Angli? Klopi: Askush nuk e kuptoi shakanë e agjentit!

Nuk është se dha më shumë shpresë se më parë për të rinovuar kontratën, por qeshi me lajmet e fundit të mediave. Jurgen Klop nuk ka ndërmend të braktisë Liverpulin për shkak të motit “të tmerrshëm” britanik, siç u nënkuptua nga fjalët e agjentit të tij, Mark Kosicke. “Mesa duket askush nuk e kuptoi shakanë e tij, – tha Klopi, i pyetur para ndeshjes së Championsit, – ishte humor gjerman, por ndoshta në Angli janë mësuar ndryshe. Moti nuk luajti asnjë rol në vendimin tim për të ardhur tek Liverpuli. Nëse themi “mos shkoni në Liverpul në tetor, është errësirë dhe ftohtë”, duket sikur po këndon refrenin e një kënge, jo sikur po jep një fakt të vërtetë”.

Gjithsesi, fjalët e agjentit të Klopit nuk ishin edhe aq shumë shaka, të paktën siç kuptohen. “Nuk mund ta nënvleftësojmë motin, – u shpreh Kosicke, – Ula (gruaja e Klopit) dhe Jurgeni ngrihen në mëngjes dhe në tetor e nëntor është errësirë, takohen sërish pasdite dhe përsëri është errësirë, gri ose fryn erë e ftohtë”. Nuk di njeriu i shkretë se çfarë të besojë, shakanë apo të vërtetën e agjentit të Klopit!

Sfidanti.al