Për t’i dhënë kuptim historisë edhe në moment të vështira, Tiranës së futbollit, gjithnjë e më shpesh i jemi drejtuar me përkëdheli “24 herë kampionët”, si ta kishte një mbiemër. Por për të kujtuar titullin e fundit duhet të kthehemi 10 vjet pas dhe që atëherë ka rezistuar pa u larguar nga fusha vetëm Tefik Osmani dhe Andi Lila, me këtë të fundit që gjithsesi ende nuk e ka bërë debutimin. Dhe në këto 10 vjet, Tiranës i mbetën vetëm emri, e njëjta uniformë spektakolare dhe disa copa historish të kujtuara me nostaolgji, ndërsa paraqitja në fushën e lojës u kthye në një gri të shpëlarë. Ish-klubi i madh, vit pas viti humbiste nga muri që kishte filluar të ndërtohet që gati 100 vjet më parë, aq sa njerëzit e shtëpisë filluan të dukeshin që nga rruga. Në këto kushte nuk mund të flitej më për entuziazëm, por për tifozë të inatosur, të cilët niseshin në stadium për të fyer drejtuesit e skuadrës së tyre, aq sa u kthyen në të padëshirëshuar nga vetëm familja.
Dhe çfarë duhej për të ndryshuar menjëherë këtë situatë negative të çimentuar prej një dekade? Dikush u rikthye të investojë, duke sjellë në skuadër emra të përvetshëm që bëjnë efekt në publik dhe kuptohet që gjithçka u shoqërua me një fushatë reklamuese që zgjati sa edhe operacioni i merkatos. Më në fund u kuptua, që ky kampionat është shumë debitor për nga cilësia dhe prej kohësh është veçse fasadë, pasi lëngon financiarisht… dhe në këto kushte është e tepërt që një klub si Tirana të vazhdonte të qëndronte inferior. Mbetej vetëm për t’u parë, nëse presidenti Halili do të kërkonte ndihmë, por duket se paska mundësi për t’u kthyer në elitë edhe i vetëm. Në katër javët e para, bardheblutë kanë grumbulluar 10 pikë dhe ndodhen në vendin e parë të tabelës, prej kohësh kjo një nisje jo e zakontë, si dhe kanë bërë disa goditje, qoftë edhe sa për të thënë që kanë filluar të meremetojë historinë. Fituan në Shkodër përpara ndërprerjes së kampionatit, por mbi të gjitha në një ambjent aspak miqësor. Ndërkohë që “Loro Boriçi” ishte pikërisht stadiumi nga ku u përcollën për një kategori më poshtë, për herë të parë në historinë e saj. Ndërsa të shtunën, Tirana tregoi se ishte superiore ndaj Skënderbeut, skuadër që prej kohësh, me një mënyrë ose një tjetër kishte marrë piacën e futbollit. Në fakt, kjo që po fillon dhe kuptohet nëse do të vazhdojë me të njëjtin seriozitet, është logjika normale e kampionatit tonë, që nga koha e konceptimit. Tifozët si askund tjetër po mbushin stadiumin për skuadrën e tyre, kjo e fundit që ka filluar të sillet normalisht në fushë… Tirana paska qenë e dëshiruar për pak futboll.