Donte të sfidonte Atlantikun, por e pengon një kandil deti i rrezikshëm

Notari maratonist anglez, Ben Huper, ish-polic, në përpjekjet e tij për të realizuar ëndrrën e tij më të madhe në jetë, të kalonte me not oqeanin Atlantik, u pengua nga një kandil deti i rrezikshëm i madh që e “pickoi” atë. Ky kandil deti që ndryshe njihet si “anija portugeze” ose “fizalia”, duke pickuar ose duke e prekur Huperin, e paralizoi atë pjesërisht, i dëmtoi të folurën dhe ia uli mjaft presionin e gjakut. Beni këtë sipërmarrje aventurë të tij të guximshme e ka filluar 22 ditë më parë, ndërsa kishtë paralajmëruar, që para fillimit të saj, se kishte frikë nga qeniet detare, më shumë nga peshkaqenët dhe kandilët e detit. Fatkeqësinë që i ndodhi, Huperi e shpjegoi në profilin e tij në facebook:

“Ankthi, nga i cili unë kisha më shumë frikë, doli i vërtetë. Mua më sulmoi një kandil deti i tipit ‘fizalia’. Ndjeva një dhimbje të papërshkruar në të gjithë pjesën e djathtë të trupit, nga veshi deri te gishti i këmbës. Sytë m’u zgurdulluan, madje, edhe u paralizova pjesërisht. Edhe e folura ime u vëshirësua. U përpoqa që të mos humbisja ndjenjat. Presioni i gjakut arriti në 80/40, para se të më stabilizohej. Ishte një situatë serioze”, shkroi Huperi në facebook. Mjekët e ndaluan atë që të hynte në ujë gjatë 48 orëve të ardhshme, me qëllim që ta vlerësojnë, deri në detaje, gjendjen e tij shëndetësore. “Tentakulat” e këtij kandili deti mund të arrijnë deri në 9 metra dhe “pickimi” i tyre mund të jetë vdekjeprurës. Helmi i këtij kandili deti mund të shkaktojë probleme në zemër dhe frymëmarrje të vështirë. Që të vendosë një rekord botëror zyrtar, duke e kaluar me not Atlantikun, Huperi, në aventurën e tij, u nis nga Dakari i Senegalit, nëntorin e kaluar, dhe e gjithë kjo maratonë e gjatë noti presupozohej që të zgjaste rreth katër muaj dhe të përfundonte në Natale, në veriperendim të Brazilit. Ideja e tij ishte që të notonte 12 orë në ditë, ndërsa kishte llogaritur se ai kishte nevojë që, në trupin e tij, të futeshin 12 000 kalori në ditë, që të ruante forcën, për të cilën ai kishte nevojë që ta përfundonte këtë aventurë të tij të pazakontë.

Sfidanti.al