Kaosi vazhdon, Nejmari mbetet në PSG, por jo, shkon tek Barcelona!

Një besimtar do të thoshte “një Zot e di si do të përfundojë”. Të tjerët do të dyshonin për vërtetësinë  e raporteve mediatike, apo edhe të njëanshmërive të qëllimshme, ndërsa e ardhmja e Nejmarit mbetet ende në ajër. Duhen më pak se dy ditë deri në mbylljen e “dritares së transferimeve”, dhe braziliani herë thuhet se do të qendrojë në Paris, e herë se do të shkojë në Barcelonë.

“Marka” njofton se Nejmar është dorëzuar dhe se i ka deklaruar drejtuesve të PSG-së se do të qendrojë në skuadër. Po ashtu, gazeta e Madridit shton se braziliani ka informuar familjarët e tij se do të jetojnë edhe një vit në Paris, edhe pse ai ishte gati të paguante 20 milionë euro nga xhepi për të shkuar në “Kamp Nou”.

“Deili Meil” jep një version tjetër, ndonëse lajmi i anglezëve është pak më i hershëm si kohë. Tabloidi britanik shkruan se situata ka ndryshuar në favor të largimit të Nejmarit, pasi Usman Dembele ka pranuar që të largohet nga Barça. Njeriu që e paska bindur, paska qenë vetë trajneri i parizienëve, Tomas Tuhel, ai që e mori Dembelenë tek Dortmundi në 2016. Akordi, sipas “Deili Meilit” është për tre lojtarë, Dembele, Rakitiç e Todibo, dhe për një shumë të madhe financiare.

Sfidanti.al