Tirana këtë vit fiton pa penallti, por kur nuk u jepen kundërshtarëve

Natyrisht, nuk mund të thuhet kjo për ndeshjet e para. Tirana nuk pati nevojë për penallti që të mundte Luftëtarin, ndërsa duhej ta kishte marrë një 11-metërsh në ndeshjen ndaj Teutës në mesjavë, që nuk arriti ta fitonte. Në Shkodër, ndodhi e kundërta, me Vllazninë që pretendoi me të drejtë për të paktën një penallti, por me gjyqtarin Jorgji që nuk e akordoi.

Për fat të keq, pati edhe tension në tribuna mes dy palëve të tifozëve, ndërsa në të kaluarën ka pasur edhe dhunë në një ndeshje të tillë derbi. Loja u ndërpre dy herë për hedhje shishesh, si dhe për hyrjen e një tifozi në fushë.

Padyshim, vendimi për penalltinë ndikon direkt në rezultat, por nuk mund të thuhet se kryeqytetasit nuk e merituan suksesin në stadiumin “Loro Boriçi”. Krijoi më shumë lojë dhe raste se shkodranët, duke qenë më e rrezikshme dhe më vertikale në pjesën e parë, dhe më e vendosur pas pushimit. Shfrytëzoi siç duhet gabimet e vendasve, në të dy golat e shënuar me anë të sulmuesve Grent Halili e Majkëll Ngo.

Kjo ishte një tjetër provë e së vërtetës për skuadrën e trajnerit Ardian Mena, e cila duket se do të jetë pretendente për të fituar titullin e parë pas 11 vjetësh që nuk ia del. Përse duket kaq ndryshe Tirana sot, në krahasim me vjet? Padyshim, sepse ka lojtarë më të mirë dhe stol më të fuqishëm, dhe sepse Mema ka kohë që e drejton. Po ashtu, u la pas ndikimi negativ i një sezoni në Kategorinë e Parë.

Nuk dihet nëse bardheblutë do të kenë ambicie dhe ekuilibër deri në fund, pasi kjo varet nga shumë faktorë, por tifozët e tyre duken me më shumë besim.

Sfidanti.al