Xhampaolo ka filozofinë e tij, por “filozofia” e Milanit janë borxhet

Mund të jesh 18 herë kampion i Italisë, 7 herë kampion i Europës dhe të kesh 18 trofe ndërkombëtarë, thuajse më shumë se kushdo tjetër, por sërish të “vuash për koren e bukës”. Krahasimi nuk është i plotë, siç nuk mund të jetë thuajse kurrë, por një Milan me 85-90 milionë euro borxhe nuk është diçka që pranohet lehtë. Kjo është gjendja e klubit të madh italian, që po përpiqet të ngrihet nga mediokriteti ku ndodhet, dhe që duket qartë se nuk do ta ketë të lehtë.

Ka një përmirësim në krahasim me vjet, pasi “gropa” ishte -126 milionë euro, por sërish mbetet “semafor i kuq”. Nuk mund të ketë rritje të kapitalit për të synuar blerje, kjo e ndaluar nga rregullat e UEFA-s. Europa nuk e ndëshkoi për falimentim, por e përjashtoi nga kupat, kaq ishte e gjitha, dhe tani mbetet Seria A.

Duke dalë nga zyrat e nga bankat, le të zbresim në fushë, aty ku trajneri Xhampaolo po përgatit ndeshjen e dytë të Milanit, atë ndaj Breshës në “San Siro”. Humbja në Udine ka lënë shenjë, por trajneri deklaron se është i palëkundur. “Kjo është filozofia ime, dhe nuk lëviz asnjë milimetër, – shprehet ai, – ekipi përbëhet nga një grup djemsh që janë stërvitur shumë mirë, dhe që më kanë dhënë përgjigje të rëndësishme. Të vazhdojmë punën që kemi nisur”.

Sfidanti.al