A janë të vërteta fjalët e Zidanit për Garet Bejlin?!

Drejtuesi i Realit njihet si njeri i fjalëve të pakta dhe i sjelljes “pa doreza”. Edhe kur ende nuk ishte një trajner me emër, në fillimet e veta, Zinedin Zidan fitoi respektin e lojtarëve të Realit me sjelljen e tij, diçka aspak e vogël dhe që tregon shumë. Kjo do të thotë se kur ai flet, duhet marrë seriozisht dhe nuk duhet dyshuar. Mos vallë, kështu duhet të jetë edhe në komentin e fundit bërë për Garet Bejlin?

“Ndryshimi që ka ndodhur me Bejlin është që vetë lojtari nuk dëshiron që të largohet nga Reali, – iu përgjigj Zizuja pyetjes së një gazetari, – për ne ka rëndësi që lojtari dëshiron të rrijë me ne, dhe jemi të bindur se do të luajë një rol të rëndësishëm këtë sezon”. Por, a nuk ishte vetë Zidan që tha se “sa më shpejt që të largohet Bejli, aq më mirë është”? Po, pasi i tha publikisht, por duhet besuar se deri në atë kohë uellsiani donte të ikte.

Për fat të keq, nuk erdhën ofertat e duhura nga Anglia apo Bajerni, ndërsa kalimi në Kinë (për fat) nuk u realizua. Përse ndodhi, pra, konflikti mes palëve? Duket se Zidan dhe Bejl janë natyra të ndryshme, ose të tillë që nuk e kanë të lehtë të bashkëpunojnë. Uellsiani është i veçuar, ka mënyrën e tij të sjelljes dhe nuk e ka pritur mirë lënien në stol në të kaluarën. Shpresohet që tani të dinë të përshtaten, për të mirën e Realit.

Sfidanti.al