Ja pra, që Dibala shkon tek Interi dhe Ikardi tek Juventusi

Kur diçka kërkon ta heqësh qafe, të mos e kesh me vete, bën ç’mos që ta largosh. Kështu edhe për futbollistët dhe klubet i dinë mirë interesat e tyre. Mënjanë batutat, përbetimet dhe raportet prej tifozësh, pasi futbolli funksionon ndryshe, mbi bazë të harmonisë së brendshme të skuadrave dhe të ekulibrave financiarë e sportivë. Interi nuk do të kishte dashur kurrë t’ia jepte Ikardin Juventusit, por nëse si shkëmbim merr një lojtar gjithashtu shumë të mirë, përse jo?

Një telefonatë e vërtetoi këtë gjë, pasi “La Gazeta delo Sport” raporton se drejtuesit e lartë zikaltër e bardhezinj biseduan. Fabio Paratiçi i Juves dhe Bepe Marota i Interit folën padyshim për shkëmbimin Ikardi-Dibala. Nuk jepet qartë se cili pati “guximin” të bëjë telefonatën, por cilido që të ketë qenë, ka  bërë mirë. Gazerta e njohur milaneze thotë shkurt se palët nuk e patën të lehtë që të bisedonin, nuk lanë takim tjetër dhe nuk arritën ende asnjë marrëveshje, por shkëmbime të tilla zakonisht përfundojnë në momentin e fundit, pra në 2 shtator.

Sfidanti.al