Një përçarje me pasoja rrezikohet në futbollin gjerman të klubeve, dhe nuk mund të ketë arsye tjetër përveçse asaj financiare. Plot 16 klube të quajtur “të mesëm” janë mbledhur dhe kanë diskutuar për ndarjen e “tortës” së të drejtave televizive, duke kërkuar më shumë para për “sërën e tyre”. Janë 8 klube të Bundesligës, dhe 8 të kategorisë së dytë, dhe mes tyre bëjnë pjesë Frankfurti, Hamburgu, Herta, Verderi, Këlni apo Shtutgarti.
Kjo nuk u prit aspak mirë nga shefi ekzekutiv i Bajernit, Karl-Hajnc Rumenige, i cili deklaroi hapur se “na u bënë nervat tel kur morëm vesh se 16 klubet ishin mbledhur”. “Që kur u themelua liga gjermane e futbollit (DFL), kurrë nuk ka ndodhur një ndarje e tillë, – vazhdoi Rumeniger, – siç i thonë një shprehjeje “nuk mund ta rrjepim lëkurën e ariut përpara kohe””. Gjithsesi, klubet “e vegjël dhe të mesëm” janë mbledhur edhe më parë, duke zgjedhur presidentin e ligës, Zajfert, dhe shumicën në presidium. Zajferti nuk ngurron të paralajmërojë duke përmendur një shprehje të ish-presidentit amerikan, Abraham Linkoln: Çdo shtëpi që përçahet së brendshmi, pushon së ekzistuari”.
Sfidanti.al