Frankfurti “brirë më brirë” me agjencinë gjermane të dopingut!

Sot në mbrëmje vëmendja duhet të jetë e përqëndruar vetëm në një gjë: Futbolli! Ajntrahti i Frankfurtit luan shanset e tij për kalim në fazën e grupeve të Ligës së Europës, në një detyrë aspak të lehtë në Francë ndaj Strasburgut, por trajneri Adi Hyter, është i detyruar të shqeësohet dhe të nervozohet për diçka tjetër. Fjala është për dopingun, dhe për Agjencinë Gjermane të Antidopingut (NADA).

Gjithçka nisi në ndeshjen e fundjavës në Bundesligë ndaj Hofenhajmit (1-0), kur mbrojtësi Martin Hintereger, pati ngërç, dhe u trajtua me gjilpërë, por edhe me një kokërr ilaç, nga doktori Pfab dhe fizioterapisti Hazer. Një nga anëtarët e bordit të NADA-s, i quajtur Lars Mortzifer, shprehu publikisht dyshimet e tij, duke thënë se “ne duhet të sqarojmë se çfarë gjilpëre iu bë lojtarit dhe çfarë tablete iu dha, pasi çdo gjë mund të jetë në rregull, por mund të jetë edhe doping apo abuzim me ilaçet”.

Trajneri i Frankfurtit u zemërua shumë nga komenti. “Ne e mirëpresim NADA-n që të bëjë punën e saj dhe të komentojë, – tha Hyteri, – por, jo që të komentojë përpara se të bëjë punën. Kjo është thjesht mungesë respekti. Martini, mjekët tanë dhe ne të gjithë, e kemi ndërgjegjen të pastër”.

Sfidanti.al