Vetëm pak ditë më parë babai i tij u bë ndjekës i faqes së Sergio Ramosit në Instagram. Që krahu i djathtë i Nejmarit të pëlqejë kapitenin e Realit në rrjetet sociale (pikërisht në këtë moment), do të thotë se po nis një mesazh me nënkuptim drejt një zyre në “Santiago Bernabeu”. Pra, në cilën “derë” do të përfundojë bredhja e yllit brazilian këtë verë? Me shumë gjasë, rruga që ka marrë të çon në Madrid.
Barcelona duket se ka mbetur pa “asa nën mëngë”, siç bëjnë me dijë gazetat sportive në Spanjë, Francë apo Britani të Madhe. Reali e di këtë, por presidenti Florentino Perez nuk dëshiron një betejë të hapur me katalanasit, për një çështje kaq të ndjeshme për tifozët. Gjithsesi, në kryeqytetin e Spanjës e kanë të qartë se janë në avantazh dhe ajo që u jep epërsinë është paraja.
Ka disa ekuilibra financiarë të detyrueshëm nga UEFA, dhe Barcelona besohet se do të tejkalonte limitet me rrogën që do të detyrohej t’i ofronte Nejmarit. Ndryshe për madrilenët, të cilët kanë financa më të shëndosha dhe do t’i merrnin sulmuesit 50 për qind të të ardhurave nga e drejta e imazhit, siç kanë bërë me çdo lojtar tjetër, përfshi edhe Kristiano Ronaldon. Kjo do të thotë se Reali do të fitonte 13.5 milionë euro në vit nga ky burim, duke financuar një pjesë të rrogës së “Ney”-t, që mund të shkojë ndoshta në 30 milionë euro. Gjithsesi, duhet të presim për të parë përfundimit, edhe pse është e qartë se Nejmar njeh vetëm një dashuri, suksesin personal sportiv dhe financiar, dhe jo ndonjë fanelë të veçantë.
Sfidanti.al