Trajneri u detyrua të kafshonte gjuhën dhe të ndërronte “muzikën”, por edhe një gjë e tillë quhet aftësi prej kampioni. Zinedin Zidan pranoi se Garet Bejli do të vazhdojë tek Reali pavarësisht zhurmave se do të largohej, dhe se do të mbështetej edhe tek Hames Rodrigez, ndërsa ylli uellsian tregoi anën e tij të klasit.
Fitorja 3-1 në fushën e Seltës në La Liga ishte sukses skuadre, por sidomos triumfi personal i Bejlit, më të mirit lojtar në fushë. A nuk ishte arsye e mjaftueshme për ta larguar fakti se nuk komunikonte spanjisht me shokët dhe mediat? Padyshim, ishte një minus i madh, por loja e nivelit të lartë dhe golat janë një plus edhe më i madh. Kështu, Bejli i dha të drejtë presidentit Florentino Perez që këmbënguli për ta mbajtur, dhe jo Zidanit që deshi ta hiqte qafe. E mbani mend besoj deklaratën në Hjuston, që “nëse largohet nesër, edhe më mirë”.
Suksesi në Vigo ishte edhe ajo e “Realit të vjetër”, pra e yjeve të triumfeve në Champions. Në fushë ishin Kurtua, Marselo, Ramos, Varan, Kasemiro, Lukas Vaskez, Modriç, Kros e Benzema, pra këto mund të quhen blerjet e reja të Zidanit.
Sfidanti.al