Revista “Sport Bild” e ka gjetur titullin “e goditur”. Borusia e Dortmundit i bëri pesë përshëndetje miqësore Bajernit pas fitores së javës së parë të Bundesligës. “Shtypje” e Augsburgut me shifrat 5-1, me një lojë sulmuesi impresionuese, ku trajneri Lysien Favre pati në fushë një repart ofensiv të përbërë nga Rojs, Alkaser, Hazar dhe sidomos Sanço, ndërsa si zëvendësues hynë edhe “25-milionëshi” Julian Brant dhe ish-kampioni i botës Mario Gëce.
Nga 25 gola në 7 ndeshje të javës së parë në Gjermani, pesë ishin nga “të zotët” e stadiumit “Signal Iduna Park”, ndërsa Bajerni vetëm mundi të barazonte 2-2 me Hertën në Mynih, duke marrë si “dhuratë” edhe kritikën e brendshme të Xhoshua Kimihut ndaj trajnerit Niko Kovaç. Bajerni shpreson tek Filip Kutinjo, pse jo edhe tek Mario Manxhukiç, që edhe mund të merret. Gjithsesi, atë që bavarezët e synojnë, Dortmundi e ka që tani, pra duke qenë në avantazh.
Sfidanti.al