Superkupa, Klopi shpreson të jetë hapur “rubineti i trofeve”

Liverpuli shkon në Stamboll si favorit për të fituar Superkupën e Europës, në duelin 100 për qind anglez ndaj Çelsit. Të kuqtë janë në po atë pozicion që ishin në 2005, kur fituan këtë trofe në finalen e Montekarlos ndaj Bajernit, ndërsa humbën më pas Kupën e Botës për klubet. Trajneri Jurgen Klop shpreson që, pas suksesit në Champions, të jetë hapur “rubineti i trofeve” për ekipin e tij, dhe kjo të mos vlejë vetëm për duelin e sotëm në Turqi.

Të kuqtë ishin të buzëqeshur në Aeroportin “Xhon Lenon” në Liverpul, ndërsa fluturuan për në Aeroportin “Ataturk” në Stamboll. Për fat, lojtarët duken në formë, siç e treguan në suksesin 4-1 në Premier Ligë ndaj Noruiçit, edhe pse portieri titullar, Alison, nuk luan për shkak dëmtimi.

“Shpresoj të jetë sërish një sezon i madh, – u shpreh Klopi, – unë nuk besoj aspak në statusin e favoritit, sepse fitoren e Superkupës duhet ta arrijmë në fushë. Nuk vlen aspak fakti që Çelsi u mund 4-0 në Premier, pasi kjo është ndeshje tjetër, dhe gjithçka vendoset në 90 ose 120 minuta. Ne jemi gati, pavarësisht mungesës së Alisonit”.

Sfidanti.al