Pretendimi për rrogën është preteksti, Dibala nuk e do Anglinë!

Nuk është e lehtë të zbërthehet mesazhi i tij, ndërsa refuzimi duket i vështirë për t’u kuptuar. Paulo Dibala nuk shkon tek Mançester Junajtid, edhe pse anglezët e duan, dhe dëshiron të mbetet tek Juvja, ku trajneri Sarri e ka lajmëruar se nuk bën pjesë në planet e tij. Ç’t’i thuash kësaj? Me të vërtetë, arsyeja kryesore paska qenë që trajneri Solskjer nuk i dha rrogën prej 350 000 paundësh stërlina në javë, siç kërkonte argjentinasi?

Ndoshta, Dibala nuk ka dëshirë të provojë futbollin anglez, duke qenë lojtar tipik latin, i mësuar në Serinë A. Ndoshta, ai kërkon të fitojë sfidën me vetë Sarrin apo edhe me Kristiano Ronaldon, duke gjykuar se portugezi është tashmë i moshuar dhe se Juventusi do të ketë nevojë për talentin e tij. Me shumë gjasë, nëse do të ishte e mundur, ai do të shkonte tek Interi, për të sfiduar Juven brenda në Itali. Refuzimi i Dibalës, do të thotë se Lukaku për momentin nuk shkon dot në Torino, ndërsa Interi ka shpresë ende që ta marrë.

Sfidanti.al