Në moshën 34-vjeçare nuk mund të thuash se je në maksimumin e formës fizike. Edhe kur quhesh Ljuis Hamilton, apo kur quheshe Mikael Shumaher, Alen Prost apo Airton Sena. Gjithsesi, anglezi tregoi se nuk dëshiron të dorëzohet aq lehtë, pavarësisht që vitet shtohen mbi shpinë, dhe synon pikërisht rekordet e Shumit. Gjermani i lavdishëm u shpall kampion i botës për herë të fundit kur ishte 35 vjeç, duke arritur rekordin e 7 titujve botërorë në Formula 1. Hamilton mund të bëjë pikërisht këtë, të fitojë titullin e 6-të këtë vit, dhe të barazojë Shumaherin, me 7, sezonin e ardhshëm, kur të jetë edhe ai 35 vjeç, sa ishte legjenda e Ferrarit kur ia doli në 2004.
Në Çmimin e Madh të Hungarisë, në pistën tepër të vështirë teknike pranë pyjeve të lajthive, 18 km larg Budapestit, Hamilton fitoi një betejë në “luftën e brezave” me Maks Verstapenin. Piloti holandez kishte deklaruar vetëm dy ditë më parë se Hamilton kishte qenë fatlum, pasi ishte ndodhur në timonin e Mercedesit, dhe 4 apo 5 tituj me Mercedesin mund të fitonin edhe të tjerë. Verstapeni kishte veçuar Fernando Alonson si pilotin më të mirë të kësaj gjenerate, dhe ndoshta Hamilton deshi t’i jepte një përgjigje.
Nëse ishte kështu, përgjigja ishte ajo e duhura, me parakalimin e shkëlqyer 3 xhiro para fundit, dhe me përpjekjet e forta më herët. Kjo ishte fitorja e tij e 81-të në karrierë, vetëm 10 fitore prapa rekordit të Shumaherit. Po ashtu, me 8 suksese këtë sezon, dhe me 9 gara të mbetura, anglezi mund të pretendojë të barazojë ose të thyejë rekordin tjetër të Shumit, atë të 13 Çmimeve të Mëdha fituar në një sezon. Besohet se brezi i ri i Verstapenit (ende jo 22 vjeç) do të duhet të presë ende për të fituar titullin botëror.
Sfidanti.al