Aleksis Sançez është padyshim një nga lojtarët më të mirë të Premier Ligës këtë sezon, në mos më i miri. Golat e tij e kanë mbajtur Arsenalin pretendent të fortë për titull, veçse statusi i tij financiar nuk i përgjigjet atij sportiv. Mediat britanike njoftojnë se kileni është i pakënaqur me rrogën prej 130 000 stërlinash në javë që merr në klubin londinez, jo sepse ajo është e vogël, përkundrazi, por sepse ajo e lë në vendin e 15-të në renditjen e më të paguarve të kampionatit. Madje, në krye janë lojtarët e Mançester Junajtid, Pol Pogba (290 mijë stërlina në javë), Uejn Runi (260) apo Zllatan Ibrahimoviç (250), e më pas vijnë yjet e Sitit, Aguero (240), Jaja Ture (220) dhe ai i Çelsit, Eden Hazar (200).
Sulmuesi nga Kili synon pikërisht një kontratë me vlerë 200 000 stërlina në javë apo më shumë, ndërsa trajneri Arsen Venger ndodhet në pozitë të vështirë pasi Sançezit i kanë mbetur edhe 18 muaj në kontratë. Arsenali nuk dëshiron të ndryshojë strukturën e rrogave për hir të kilenit, pasi kjo do të hapte “kutinë e Pandorës”, veçse nga Kina po vjen një ofertë monstruoze, prej 400 000 stërlinash në javë.