Superliga në prag të shtyrjes, borxhet trembin klubet dhe Federatën!

Ishte parashikuar të fillonte vetë një javë më vonë se vjet, por duket se nuk do të realizohet. E shtuna e 24 gushtit është tepër afër për një Superligë shqiptare që i afrohet nisjes së sezonit aq keq sa nuk mbahet mend. Federata Shqiptare e Futbollit, që pritet të vendosë për fatin e licencimit të 4 klubeve këtë të mërkurë, pritet të marrë tjetër vendim, pikërisht shtyrjen e kampionatit.

Zv. presidenti i Federatës, Edvin Libohova, njëkohësisht president i Ligës Profesioniste, e la këtë si mundësi, kur foli javën e kaluar. Edicioni i 84-ët mund të nisë vetëm në shtator, të paktën siç bëjnë me dijë burime në institucion. Nuk dihet nëse shtyrja do të jetë 2 javë apo më shumë, kjo varet nga diskutimet në Komitetin Ekzekutiv, dhe nga e vërteta e gjendjes së klubeve.

Flamurtari, Tirana, Vllaznia dhe Luftëtari rrezikojnë përjashtimin, pas paralajmërimit të bërë në fillim të këtij muaji, ndërsa Skënderbeu po ashtu është në pozita të vështira pas konfirmimit të dënimit të UEFA-s edhe nga ana e KAS-it  në Lozanë.

Tirana ka dërguar skuadrën në fazë përgatitore, por duket se kjo mund të shkojë kot gjithnjë në rast shtyrjeje të Superligës. Klubi thuhet se ka 1.8 miliardë lekë të vjetra detyrime, ndonëse presidenti Halili pohon se i ka bërë shlyerjet. Një marrëveshje me tatimet është e mundshme, ndonëse mbetet peng e premtimit të qeverisë për falje të detyrimeve, ndërsa tiranasit kanë bërë pagesa. Gjithsesi, problem i madh mbetet detyrimi ndaj ish-presidentit Metus Seferi, që ka fituar të gjitha shkallët e gjyqeve, dhe burime nga familja bëjnë me dijë se Tirana ende nuk ka paguar asgjë.

Më e qetë gjendja tek Vllaznia, ku 200 milionë lekë të vjetër janë miratuar nga Këshilli Bashkiak për tatimet. Detyrimet janë rreth 700 milionë, ndonëse klubi ka hapur gjyq duke pretenduar parregullsi.

E vështirë gjendja tek Luftëtari ku ka konflikt mes ish-presidentit Tavo dhe aksionerëve të tjerë.  Tavo akuzohet se nuk dorëzon vulën, ai pretendon se aksionerët nuk kanë derdhur kontributin, ndërsa borxhi thuhet se është 400-500 milionë lekë të vjetër. Tek Flamurtari, ndërkaq, nuk ka asnjë lëvizje, të paktën siç bëjnë me dijë burime në klub.

Mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë me variantin e Dinamos si skuadër e Korçës, ndërsa thuhet se ka marrëveshje mes presidentit Takaj dhe familjes Nuri për të financuar bashkërisht për pagesën e lojtarëve.

Sfidanti.al