Sa më shumë afron 8 gushti, aq më shumë rritet dashuria për Sanenë!

Mbetet njeriu i ëndërruar. Leroi Sane, djaloshi 23-vjeçar i Gjermanisë dhe i Mançester Sitit, mbetet dëshira më e madhe stinore e Bajernit, dhe bavarezët besojnë se mund t’ia dalin. Trajneri Niko Kovaç nuk është ende i kënaqur me skuadrën që ka në dispozicion, e cila është përforcuar vetëm në mbrojtje me Fernandezin e Pavarin, por që ka nevoja në sulm e në krahë, sidomos pas largimit të Robenit e Riberisë.

Kampionët e Gjermanisë, ndërsa ishin në Amerikë, vizituan edhe NASA-n, dhe ashtu si Armstrongu dëshirojnë të fluturojnë lart, diçka që arrihet vetëm me përforcime cilësore. Kovaç ka besim dhe mediat britanike e gjermane shkruajnë se Bajerni është gati të bëjë ofertën e radhës, 100 milionë euro, diçka që mund ta bindë Sitin, që ka hedhur poshtë ofertat e mëparshme.

“Të gjithë e dinë se Sane është lojtari i ëndërruar prej nesh, – tha Kovaçi, për televizionin gjerman, ZSF, – E di publiku, e dimë edhe vetë ne. Do të bëjmë gjithçka për ta realizuar këtë transferim. Kam besim dhe mendoj se mund t’ia dalim për ta marrë”.

Çfarë mendimi ka trajneri i Sitit, Pep Guardiola? Pavarësisht nga vlerësimi i madh i tij për Sanenë, ylli i ardhur nga Shalke u la në hije sezonin e kaluar nga Bernardo Silva e Rahim Stërlingu. “Ne duam që ai të mbetet me ne, – ishin fjalët e Guardiolës, – natyrisht, nuk është në dorën tonë se çfarë do të bëjë. Nëse ai dëshiron të qendrojë dhe të bëjë një marrëveshje të mirë, atëherë jemi në rregull. Nëse dëshiron të largohet, ai mund ta bëjë, por do të jetë një pikëllim për ne. Shpresojmë që të qendrojë, pasi unë e vlerësoj shumë”.

Besohet se Bajerni ka më shumë nevojë për Sanenë, sesa Siti, siç e treguan edhe ndeshjet e verës, kur skuadra bavareze vërtet nuk zhgënjeu, por as nuk bindi plotësisht, sidomos duke pasur parasysh sesa e vështirë do të jetë fitorja e Championsit.

Sfidanti.al