Sensacioni i ri i Premier Ligës në “Anfild”, por mund të jepet hua!

Liverpuli kampion evropian, gjatë kësaj vere, nuk është treguar shumë aktiv në tregun e transferimeve, por, sidoqoftë, syrin ai ua ka vënë futbollistëve të rinj dhe me perspektivë. “Të kuqtë” konfirmuan transferimin e futbollistit adoleshent Harvi Eliot, të cilin tifozët e njohën vetëm sezonin e kaluar. Elioti, duke qenë vetëm 16 vjeç dhe 30 ditë, u bë futbollisti më i ri që ka debutuar ndonjëherë në Premier Ligën angleze, kur ai luajti me Fullhemin, nga ku ai erdhi te Liverpuli.

Elioti i ri luan si anësor i djathtë, por, megjithatë, ai është një futbollist polivalent dhe mund të luajë në të gjithë pozicionet sulmuese. Detajet financiare të marrëveshjes përkatëse ende nuk dihen, por ka lajme se Elioti i kushtoi Liverpulit rreth 10 milionë sterlina, përfshi bonuset e ndryshëm. Gjithsesi, duke qenë vetëm 16 vjeç, trajneri Jurgen Klop po mendon se nuk do të ishte mirë për Eliotin që të “ngrohte” stolin në “Anfild”. Gjermani mendon se adoleshenti duhet huazuar, pasi është jetike për të që të ketë minutazh në fushën e lojës, përpara se të jetë gati për të konkurruar për një vend në ekipin kampion të Europës.

Sfidanti.al