Gjokoviçi, kampioni i qytetërimit Lindor, që nuk dashurohet aq shumë në Perëndim!

Ndërsa bënte hapat e fundit drejt Arenës, padyshim mendonte diçka. Novak Gjokoviç mund të kishte fituar lavdinë e plotë në tenis, mund të kishte 135 milionë USD në bankë, vetëm nga sporti, dhe mund të pretendojë të kalojë legjendën më të madhe, Rozher Federer, por sërish ai mbetet një djalë nga Ballkani.

Kjo ndihet më shumë se kudo në Grand Slemin më aristokratik në botë, në Uimbëlldon të Londrës, aty ku më shumë se kudo është e vështirë të ndryshojë hierarkia. Tenisti nga Serbia nuk pati trajtim të barabartë me Federerin zviceran, dhe publiku aq i lavdëruar dhe i edukuar londinez, nuk mundi ta fshihte njëanshmërinë.

Nuk dihet sesa i prishi punë Noles që lojtarin e 12-të, siç quhen tifozët, i pati thuajse kundër, por e qartë është se ai mundi ta përballonte këtë sfidë. Triumfoi në ndeshjen që e quajti më të vështirë në karrierë, pas gati 5 orësh në fushën me bar, i ndërgjegjshëm se Federeri tregoi më shumë talent, fitoi më shumë pikë, më shumë lojëra, ishte më mirë në shërbim dhe bëri më pak gabime.

Përse, pra, 32-vjeçari ia doli përballë tenistit më të mirë që ka njohur historia? Media serbe, “B92” e përmbledh shumë qartë në titullin e saj: “Nuk ka përfunduar, derisa Nole të thotë se ka përfunduar!” Gjokoviç padyshim mund të quhet njeriu me nervat më të forta në këtë sport, edhe më i fortë se Federeri, Nadali apo të mëdhenjtë e së kaluarës, Sampras, Emerson, Lendl, Konors apo Mekinrou.

Në “Oll Inglënd Klab”, ai u la shpesh në hije nga rivali, por fitoi pikët kryesore. Fitoi lojërat vendimtare në setin e parë, të tretë dhe të pestë. Po ashtu, reagoi pasi humbi shërbimin në setin e pestë, kur rezultati shkoi 7-8 dhe kur Federeri pati dy shërbime për të mbyllur ndeshjen. Kjo përmbysje e fundit nuk kishte ndodhur kurrë në Uimbëlldon që nga viti 1948.

Ky kampion 32-vjeçar nga Ballkani ka 16 Grand Sleme në karrierë, duke qenë i treti për të gjitha kohët, dhe mosha mund ta ndihmojë të kalojë rekordmenin Federer, për t’u bërë më i madhi që mbahet mend. Ai ka 5 Uimbëlldonë, po aq sa Bjorn Borgu.

E gjitha kjo nuk ka mjaftuar deri tani që të fitojë plotësisht zemrat e tifozëve në Londër. Ish-trajneri i tij, legjenda gjermane Boris Beker, e thotë pa doreza se “Gjokoviçi meriton më shumë respekt, dhe publiku duhet të vlerësojë madhështinë e tij”.

Vetë tenisti nga Beogradi e kaloi gjysmë me shaka këtë pyetje, duke thënë se “kur njerëzit thërrisnin Rozher, mua më bëhej sikur thërrisnin Novak”. Ai e quajti me të drejtë si “ndeshjen më të vështirë nga ana mendore dhe psikologjike në karrierë, edhe pse fizikisht e pata më të vështirë ndaj Nadalit në Australi”. Më të vështirë e pati edhe sepse gruaja e tij, Jelena, nuk mundi të ishte në tribunë, si përherë, e impenjuar në Beograd me punët e fondacionit me emrin e të shoqit.

Gjokoviç padyshim është një nga legjendat më të mëdha të sportit, edhe pse si ballkanas, si njeri i një qytetërimi lindor, e ka më të vështirë të pranohet siç e meriton në Perëndim.

Sfidanti.al