Shkëndija fërkon ..”shpirtin”: Gati në xhep 1,2 milion euro!

Shkëndija e Tetovës, kampione e Maqedonisë, është një hap të vogël larg kualifikimit për në fazën tjetër kualifikuese të Ligës së Kampioneve, ku atë e pret Selltiku i Glasgout, pasi ajo e fitoi 1-0 ndeshjen e parë jashtë fushës së vet kundër ekipit estonez, Nome Kalju, dhe tani duket vetëm si një formalitet i thjeshtë kualifikimi më tej, duke qenë se ndeshjen e kthimit ekipi tetovar do ta zhvillojë në Shkup para tifozëve të vet.

Në këto kushte, klubin tetovar e ndan vetëm një hap i vogël nga superfitimi prej 1,2 milion eurosh që do t’i sillte atij kualifikimi në fazën e dytë kualifikuese. Në fakt, duke pasur parasysh se Shkëndija e dominoi plotësisht lojën në ndeshjen e parë në Estoni, do të jetë një sensacion i madh, nëse klubi tetovar nuk do ta kalojë dot raundin e parë kualifikues.

Deri tani, Shkëndija ka siguruar 260 000 euro vetëm për pjesëmarrjen në ciklin kaulifikues dhe 280 000 euro të tjera për pjesëmarrjen në raundin e parë kualifikues, pra gjithsej 540 000 euro.

Sfidanti.al