Sezoni i kaluar Bundesliga gjermane u dallua për gabimet në sistemin VAR, por tani janë vetë arbitrat që ndezin sinjalet e alarmit dhe kjo ndodh 5 javë para fillimit të kampionatit të ri. Ditën e martë, arbitrat duhej të kalonin testet fizike të përcaktuara nga Federata Gjermane e Futbollit dhe rezultatet nuk ishin aspak të kënaqshme.
Sipas asaj që publikon e përditshmja ‘Bild’, 3 prej arbitrave nuk e morën lejen për të gjykuar ndeshjet e para të sezonit të ri në kampionatin gjerman dhe bëhet fjalë për Deniz Ajtekin, Tobias Velz dhe Marko Fritz. Federata Gjermane u kërkon arbitrave të saj që të vrapojnë 6 herë 40 metrat në më pak se 6 sekonda dhe të vrapojnë 40 herë në intervale të 100 m(75 m për më pak se 15 sekonda dhe 25 m në më pak se 18 sekonda), normë që Ajtekin, Velz dhe Fritz nuk ishin në gjendje që ta kapnin.
Gjithnjë sipas Bild, si Ajtekin ashtu edhe Velz nuk e kapën normën për shkak të dëmtimeve që kishin pësuar së fundmi. Po kështu nuk mundën të merrnin lejen për të gjykuar ndeshjet e para të sezonit të ri as Manuel Grefe, Benxhamin Brand, Sëren Sorks dhe arbitrja e vetme femër e Bundesligës Bibian Shtajnhaus, për shkak dëmtimesh apo sëmundjesh duke u bërë protagonistë të një skandali që Federata Gjermane preferoi të mos e bëjë publik.
sfidanti.al