Harri Megajer bëri emër Botërorin e kaluar, kur ndihmoi Anglinë të kualifikohej për në gjysmëfinale. Po ashtu, edhe në Ligën e Kombeve, ndërsa verën e kaluar Zhoze Murinjo u rrek më kot që ta merrte në “Old Traford”. Trajnerët janë ndërruar tek Mançester Junajtidi, por jo dëshira për të sjellë në skuadër Megajerin, dhe Ole Gunar Solskjer thuhet se ka shumë besim se do t’ia dalë.
Gazetat shkruajnë se ka një “kleçkë” që mund t’i prishë punë Solskjerit, dhe kjo është dëshira (sipas tyre) e mbrojtësit të qendrës për të luajtur për Mançester Sitin. Asgjë e habitshme, pasi hierarkia në qytet ka ndryshur dhe nuk jemi në kohët e Sër Aleks Fergusonit. Gjithsesi, ka edhe një element tjetër, këtë herë në favor të norvegjezit të “djajve të kuq”. Siti nuk dashka të shpenzoka 85 milionë paundë stërlinat që që kërkon Leisteri, ndoshta nuk u dalin llogaritë mirë.
Në të kundërt, Junajtid duket se është i vendosur, edhe pse ka 6 qendërmbrojtës në ekip. Bisedimet mes klubeve po vazhdojnë, dhe pengesa e vetme është diferenca 10 milionë paundë stërlina mes kërkesës dhe ofertës. Nëse gjendet gjuha e përbashkët, Megajeri mund të kuptojë se Solskjeri e do më shumë sesa Guardiola, dhe mund të pranojë “Old Trafordin”.
Sfidanti.al