U duk sikur ndeshja ishte fituar, kur gjyqtari sinjalizoi përfundimin. Tifozët e Partizanit, tribuna VIP, stoli e futbollistët si dhe gazetarët u hodhën përpjetë të lumtur që sfida në “Selman Stërmasi” ndaj Karabakut në Champions u mbyll në barazim 0-0. Ky rezultat krejt i thatë, gjithsesi pati shije të fortë pozitive, pasi kampionia e Shqipërisë nuk është se zgjonte shumë besim përpara sesa të niste ndeshja në stadiumin numër 2 të Tiranës.
Madje, as pjesa e parë nuk ngrohu shumë pasi të kuqtë u dukën të trembur e të dominuar nga një kundërshtar me emër, buxhet, potencial dhe përvojë shumë më të madhe. Kampionia e Azerbajxhanit, kliente e përhershme e fazës së grupeve në Ligën e Europës dhe në Champions, kishte hije të rëndë dhe trajneri Franko Lerda nuk deshi të rrezikonte aspak. Më mirë një lojë inferiore sesa hapje, përballje e barabartë, me pasojë pësimin e golave.
Lerda e arriti qëllimin dhe u vu re diçka shumë e rëndësishme. Partizani e ndoqi trajnerin italian, luftoi për të maksimalisht, ashtu siç luajti për vete dhe për tifozët, duke dhënë shpirtin në fushë, pavarësisht nëse ishte apo jo në nivelin e kundërshtarit. Diçka domethënëse sidomos kur një ekip shqiptar drejtohet nga një trajner i huaj, siç e ka treguar eksperienca e vetë Partizanit.
Pas pushimit, formacioni shqiptar luajti edhe më mirë, duke qenë i barabartë me azerët, duke guxuar e duke krijuar edhe momente të mira për të shënuar. “Mos harroni Ferencvaroshin”, – tha presidenti Demi pas ndeshjes, duke nënkuptuar se kualifikimi mund të arrihet në Azerbajxhan, siç u arrit në Hungari pas barazimit 1-1 në “Elbasan Arena”. Do të duhet më shumë guxim, më shumë karakter, por besimi tani është se ky Partizan mund t’ia dalë.
Sfidanti.al