Dhuratë madhështore e Lebronit: Dejvis, merr numrin tim 23 tek Lejkërsat!

Yjet nuk e bëjnë aq shpesh, sidomos ata më të mëdhenjtë. Lebron Xhejms prandaj edhe është i veçantë, ndaj edhe vendosi ta dhuronte fanelën e tij simbolike me numrin 23. Mbreti i basketbollit botëror do t’ia japë këtë numër shokut të tij të skuadrës tek Lejkërsat, Entoni Dejvis.

Ish-qendra e Nju Orlinsit u bashkua më në fund me “Liqenasit” e Kalifornisë, pasi dështoi transferimi i tij gjatë dimrit, dhe Xhejmsi mendoi t’i bënte këtë dhuratë si shenjë besimi dhe altruizmi. Ai e di mirë se titujt fitohen me skuadër të bashkuar, siç i ndodhi tek Majemi apo edhe Klivlendi, e dëshiron ta përsërisë në Los Anxhelos. Tashmë, shokë skuadre, ata nuk e kanë humbur rastin për t’u takuar, siç ndodhi në rastin kur deshën të shikonin yllin e ri të NBA-së, Zion Uilliamson.

Padyshim, ky veprim i kapitenit do të ketë ndikim të madh tek Dejvisi, një gjigand prej 2.13 metrash, i cili ka fiksim ta fitojë gjithashtu titullin në basketbollin amerikan. Me dy yje të tillë të mëdhenj, si dhe me qendrën Demarkus Kouzins që erdhi nga Golden Stejti, Lejkërsat do të kenë mundësi serioze për të pretenduar trofeun e NBA-së, edhe pse do të duhet të sfidojnë rivalë të fortë, që të dy në Kaliforni, si Los Anxhelos Klipersin e Koui Leonardit, apo edhe ish-kampionen Golden Stejt.

Sfidanti.al